Prerja e gingivave apo zgjatimi i kurorës së dhëmbit është një procedurë që kryhet për t’i dhënë një formë të re mishit në qafën e dhëmbit apo dhëmbëve. Qëllimi i kësaj procedure është që të ekspozojë më tepër sipërfaqe dhëmbi dhe nëse është e nevojshme, të korrigjojë nivelin e kockës. Ka mjaft diagnoza dentare që e kërkojnë prerjen e gingivave si pjesë e procedurës rindërtuese. Diagnoza më e zakonshme që kërkon prerje të gingivave është prishja e rëndë e dhëmbit e cila shtrihet deri nën gingivë. Një tjetër problem i zakonshëm që kërkon prerjen e gingivave është kur dhëmbi është goditur dhe është thyer mu poshtë vijës së mishit të dhëmbit. Zgjatimi i kurorës së dhëmbit shërben për të dyja funksionet, si atë kozmetik ashtu edhe në rastet kur është i nevojshëm për vendosjen e fasetave, kurorave apo urave. Gjatë të mësipërmeve apo në procedura të tjera ripërtëritëse, zgjatimi i dhëmbit është tepër i rëndësishëm.
Procedura e prerjes së gingivave
Procedura kryhet me anestezi lokale (apo me anestezi intravenoze për pacientët që dëshirojnë).
Zona e përzgjedhur e gingivës shkurtohet dhe konturohet nëpërmjet heqjes së sasive të vogla të indit me anë të kirurgjisë apo lazerit. Qëllimi është që dhëmbi të bëhet më i gjatë dhe të krijohet një simetri në vijën e gingivës.
Kohëzgjatja e kësaj procedure varet nga numri i dhëmbëve dhe nga shkalla e dëmtimit apo prishjes së dhëmbit. Mjeku bën prerje të tilla që e lejojnë mishin të tërhiqet nga sipërfaqja e dhëmbit, duke ekspozuar rrënjën dhe kockën. Në shumicën e rasteve, vetëm heqja e gingivës mjafton për ta ekspozuar dhëmbin për të vendosur mbushjen apo kurorën. Me t’u ekspozuar dhëmbi, zona sterilizohet me ujë fiziologjik dhe gingiva qepet.
Në disa raste, mund të jetë e nevojshme që të hiqet edhe një pjesë e kockës. Indi i gingivës do të çlirohet butësisht nga lidhja si me dhëmbin ashtu dhe me kockën dhe do të tërhiqet pas duke ekspozuar kockën që mban dhëmbin. Gjatësia dhe gjerësia e kockës që rrethon dhëmbin do të reduktohet dhe konturohet, më pas mishi i dhëmbit do të ripozicionohet dhe suturohet.
Pacientët mund t’i rikthehen rutinës së përditshme brenda pak ditëve ndërkohë që shërimi i plotë mund të marrë një deri në dy javë. Pacientët do të duhet të rikthehen në Klinikë për vizita kontrolli.
Procesi i shërimit pas prerjes së gingivave
Kohëzgjatja normale për shërimin është rreth tre muaj. Sidoqoftë, ndërkohë që gingivat shërohen, ju mund të kryeni veprimtaritë e zakonshme. Këshillohet mos të sforcoheni dy ditë pas procedurës. Aktiviteti i fortë fizik dhe ngritja e peshave mund të ndikojë në procesin e shërimit dhe të shkaktojë më tepër gjakrrjedhje.
Pas kësaj procedure, është e rëndësishme që të ndiqni udhëzimet e mëposhtme:
Hani ushqime të buta. Mos hani ushqime të forta, pikante, që ngjisin apo ushqime me aciditet. Shmangni gjithashtu përtypjen nga ana e plagës kur hani.
Për 24 orët e para, shmangni ushqimet e nxehta dhe mos e shpëlani gojën pasi kjo shton gjakrrjedhjen. Përdorni kompresa të ftohta me akull për të ulur enjtjen dhe ndërrojini ato çdo 20 minuta.
Merrni mjekimin e përshkruar për të larguar dhimbjen. Në rast se kemi përshkruar antibiotikë, kjo bëhet për të parandaluar infeksionin. Veproni sipas udhëzimeve.
Përdoreni me kujdes furçën e dhëmbëve afër plagës, mund të lani dhe përdorni fillin normalisht në zonat e tjera.
Shmangni përdorimin e alkoolit deri pas takimit të kontrollit. Mos pini duhan 7-10 ditë pas procedurës.
Përdorimi kozmetik
Zgjatimi I kurorës së dhëmbit përdoret shpesh edhe në procedurat dentare kozmetike. Është sidomos i dobishëm në rastet kur mishi i dhëmbëve zbret shumë poshtë dhe bën që dhëmbët të duken shumë të shkurtër. Heqja e indit ‘të tepërt’ të gingivës, krijon një pamje tepër natyrale dhe përmirëson buzëqeshjen.