Kurorat dentare janë një element i rëndësishëm i stomatologjisë moderne pasi ofrojnë zgjidhje të larmishme për një sërë problemesh dentare. Kurorat dentare apo ndryshe veshja e dhëmbit mund të kryhet me lloje të ndryshme materialesh dentare si për shembull, kurora metalporcelan, zirkon, apo kurorat emax. Përveçse rrisin funksionalitetin dhe përmirësojnë estetikën e dhëmbëve, kurorat zgjidhin edhe një sërë shqetësimesh dentare.
Çfarë është kurora mbi dhëmb?
Kurora anatomike e dhëmbit i referohet pjesës natyrale dhe të dukshme të një dhëmbi i cili është i mbuluar nga smalti dhe zgjatet nga vija e gingivës e deri poshtë tek maja prerëse e dhëmbit.
Nga ana tjetër, një kurorë dentare apo siç mund të quhet nga pacientët këllëf, është një rindërtim protetik i dizenjuar për të imituar dhe zëvendësuar kurorën natyrale të dhëmbit, kur ajo është e dëmtuar. Kurorat rikthejnë forcën e dhëmbit, formën dhe funksionalitetin. Ato prodhohen enkas në laborator për t’u përputhur me pjesën tjetër të dhëmbëve dhe për të krijuar një pamje estetikisht të kënaqshme.
Kur duhet vendosur kurora dentare?
Është e rëndësishme që të kuptohet se cili është trajtimi i duhur për çdo lloj problemi me dhëmbët. Mes një shumëllojshmërie të madhe procedurash dentare të tilla si mbushjet estetike, rindërtimet e pjesshme të dhëmbit, fasetat për të rindërtuar strukturën e një dhëmbi të dëmtuar, përse është e nevojshme vendosja e një kurore?
Ka disa raste kur mbulimi i të gjithë dhëmbit me kurorë dentare është mundësia më e mirë.
Prishja e dhëmbit:
Një dhëmb shumë i prishur i cili ka humbur një pjesë të mirë të strukturës natyrore, është më tepër i prirur që të thyhet nëse nuk rindërtohet siç duhet. Rindërtimi i dhëmbit nëpërmjet mbushjes mund të mos japë rezultate afatgjata në kohë. Ky është një prej rasteve kur dentisti rekomandon mbulimin e dhëmbit të dobësuar me një kurorë dentare.
Dhëmbi i thyer ose i krisur:
Ndonjëherë një dhëmbi të thyer mund t’i jetë shkëputur pjesa më e madhe e strukturës natyrale. Në këto raste, veshja me këllëf mund të ofrojë një mbështetje të mirë strukturore për dhëmbin e thyeshëm duke rikthyer funksionalitetin e plotë.
Mbushja e kanaleve:
Në rastet kur kryhet terapia për mbushjen e kanaleve të një dhëmbi, është e këshillueshme që dhëmbi të vishet me një këllëf dentar. Pas kësaj procedure, dhëmbi bëhet lehtësisht i thyeshëm nga trysnia e kafshimit. Prandaj, rekomandohet gjerësisht mbrojtja e dhëmbit për të parandaluar dëmtime të mëtejshme të strukturës së tij.
Trajtime kozmetike:
Së bashku me fasetat dentare, të gjithë kurorat e porcelanit, zirkonit dhe rezinës përdoren për qëllime kozmetike të tilla si përmirësim i dhëmbëve të çngjyrosur apo me formë të keqe.
Si mbështetje për urat dentare:
Kurorat dentare shërbejnë edhe si mbështetje për urat dentare të cilat ndihmojnë në zëvendësimin e dhëmbëve në mungesë, duke rindërtuar një hark dentar të plotë dhe funksional.
Zëvendësim i kurorave të vjetra:
Nëse një kurorë e vjetër dentare duhet të zëvendësohet për shkak se është thyer apo për arsye kozmetike, vendosja e një kurore të re është zgjidhja e vetme.