Implantet dentare janë krijuar si një bazë e fortë për dhëmbë zëvendësues që duken, ndihen dhe funksionojnë si dhëmbët natyralë. Personi që ka mungesa të dhëmbëve rifiton aftësinë për të ngrënë pothuajse çdo gjë, e njëkohësisht arrin të ruajë të pandryshueshme konturet e fytyrës. Pacientët që vendosin implante dentare buzëqeshin me vetbesim.
ÇFARË JANË IMPLANTET DENTARE?
Vetë implantet janë vida të vogla prej titani që vendosen në nofull nëpërmjet kirurgjisë, në vendet ku mungojnë dhëmbët. Këto vida, zëvendësojnë rrënjët e dhëmbit. Kocka lidhet me titanin, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për dhëmbët e prodhuar në laborator. Lihet të kalojë njëfarë kohe në mënyrë që kocka të shërohet dhe të rritet rreth implantit dentar. Në shumë raste, një dhëmb i përkohshëm zëvendësues mund të vendoset mbi implant menjëherë pasi mbillet.
Implantet ndihmojnë gjithashtu për të ruajtur strukturën e fytyrës. Ato parandalojnë humbjen kockore që ndodh zakonisht kur ka mungesë dhëmbësh.
Procedura Kirurgjikale
Për pjesën më të madhe të pacientëve, vendosja e implanteve dentare përfshin dy procedura kirurgjikale. Faza e parë është ajo gjatë të cilës implantet vendosen në nofull. Gjatë 12 -24 javëve që pasojnë këtë procedurë, implantet gjenden nën sipërfaqen e mishit të dhëmbit dhe dalëngadalë lidhen me kockën e nofullës. Gjatë kësaj kohe pacienti mund të mbajë proteza të përkohshme te lëvizshme ose ura fikse provizore dhe të hajë ushqime të buta. Pasi implanti të jetë bërë një trup me kockën e nofullës, nis faza e dytë gjatë të cilës kirurgu do t’i zbulojë implantet dhe do të vidhosë mbi secilin prej tyre kunja të vogla që do të zgjaten mbi mishin e dhëmbit dhe do të veprojnë si bazamenti për dhëmbët e prodhuar në laborator. Kur vendosen dhëmbët, këto kunja nuk do të duken më.
Duke përdorur teknologjinë më të fundit të implanteve dentare, në Klinikën Dentare Koral mund të vendosen edhe implante me një fazë të vetme. Këto implante nuk kërkojnë një procedurë të dytë për t’i zbuluar por një kohë shërimi minimale prej 6 javësh para se të vendosen dhëmbët e prodhuar në laborator. Ka edhe raste kur implanti vendoset po në të njëjtën seancë me ekstraksionin e dhëmbit – duke minimizuar kështu numrin e procedurave kirurgjikale.